SHBA-ja përsërit se Huawei paraqet rrezik për sigurinë kombëtare

Ilustrim

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara nuk po dërgonin "mesazhe të përziera" sa i përket kompanisë kineze Huawei, dhe se ai nuk beson se përfshirja në një listë të zezë amerikane, do të bllokojë një marrëveshje tregtare me Pekinin.

"Nuk mendoj se ka ndonjë mesazh të përzier", tha Pompeo në një intervistë me CNBC.

"Kërcënimi për të pasur sisteme kineze të telekomit brenda rrjeteve amerikane, ose brenda rrjeteve në të gjithë botën, paraqet një rrezik të madh, një rrezik të sigurisë kombëtare", tha ai.

Në muajin maj, Uashingtoni e përfshiu në listë të zezë Huawei-n, duke pretenduar se kompania kineze është përfshirë në aktivitete në kundërshtim me sigurinë kombëtare të SHBA-së, ose interesat e politikës së jashtme.

Të hënën, Shtetet e Bashkuara thanë se kanë zgjatur afatin, që lejon Huawein të blejë komponentë nga kompanitë amerikane për të furnizuar klientët ekzistues. Por, gjithashtu autoritetet amerikane, shtuan më shumë se 40 njësi të Huawei-t në listën e saj të zezë ekonomike.

Mosmarrëveshja rreth Huawei-t përkon me një luftë tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë. Bisedimet janë të pezulluara tani për tani, dhe të dyla palët kanë kërcënuar se do të rrisin tarifat ndaj njëra tjetrës.