Pritet largimi i masave reciproke ndaj Maqedonisë së Veriut

Ilustrim.

Zyrtarë të Qeverisë në largim të Kosovës dhe ata të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, janë dakorduar që deri në fund të kësaj jave të heqin barrierat në mes këtyre dy shteteve për disa produkte.

Ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala, është takuar me ministrin maqedonas të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi për të diskutuar gjetjen e një zgjidhjeje për barrierat tregtare në mes të të dyja vendeve.

Ministri në detyrë Shala, më 16 gusht ka marrë vendim për të vendosur masa reciproke ndaj mjaltit dhe patateve të Maqedonisë së Veriut. Ky vendim ishte marrë pasi Maqedonia e Veriut, nga muaji qershor kishte vendosur barrierë tarifore këtyre produkteve.

Ministri maqedonas Bekteshi ka thënë se këto barriera nuk janë vendosur vetëm për shtetin e Kosovës dhe që janë të interesuar ta gjejnë një zgjidhje dhe të vazhdojnë raportet tregtare me Republikën e Kosovës.