Organizata Human Rights Watch (HRW) i bëri thirrje Iranit që të lirojë gratë e burgosura, të cilat u arrestuan nën dyshimin se janë veshur si burra, me qëllim që të shikojnë nga stadiumi ndeshje të futbollit.
Në Iran është e ndaluar që gratë të shkojnë në stadiume për të parë ndeshje të futbollit.
Sipas raportimeve, gjashtë gra u arrestuan më 12 gusht, përfshirë këtu edhe Zahra Khoshnavaz, një aktiviste e zëshme që kundërshton ndalesën që gratë të marrin pjesë në ngjarje sportive dhe Forough Aleai, një fotoreportere që ka dokumentuar kundërshtimin e kësaj ndalese.
“Gratë iraniane nuk duhet të kalojnë asnjë sekondë në burg sepse autoritetet i akuzojnë ato për përpjekjet e tyre paqësore për ta kundërshtuar një ndalesë qesharake, që ua mohon grave dhe vajzave të drejtën e barabartë, për të marrë pjesë në një ndeshje futbolli”, tha Minky Worden, drejtoresh e iniciativave globale të HRW.
“Irani duhet t’i lirojë menjëherë gratë dhe të heqë këtë ndalesë diskriminuese”, tha Worden.
Autoritetet iraniane thonë se grave u ndalohet hyrja në stadiume, me qëllim që të mos u ekspozohen fyerjeve nga tifozët meshkuj.
Kritikët thonë se kjo ndalesë është diskriminuese ndaj grave.