Janë bërë më shumë se 12 vjet që kur Kosova ka miratuar Ligjin për sigurime shëndetësore, por që asnjëherë ky ligj nuk ka hyrë në fuqi.
Fillimisht ishte shefi i UNMIK-ut në vitin 2007 që nuk e nënshkroi ligjin. Pas pavarësisë ishin qeveritë që e tërhoqën ligjin për shkak të implikimeve buxhetore.
Kuvendi i Kosovës arriti ta miratojë Ligjin e ri për sigurime shëndetësore në vitin 2014 mirëpo as ky ligj nuk ka gjetur zbatim deri tash.
Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajve, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet).
Mbledhja e fondeve, ishte paralajmëruar të nisë që nga 1 korriku i vitit 2017. Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa me pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.
Fatmir Plakiqi, drejtor i Fondit për Sigurime Shëndetësore, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se shumica e parakushteve për fillimin e mbledhjes së fondeve do të plotësohen brenda këtij viti.
Megjithëkëtë, Plakiqi tha se ligji për sigurime shëndetësore ka qenë në prioritet të Qeverisë këtë vit, por që tani situata politike ka ndryshuar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Mund të them se ky vit është vit i fondit, dhe deri në fund të vitit mund të konkludojmë se shumica e parakushteve për fillimin e mbledhjes së premiumeve (të hollave) do të plotësohen. Ashtu i kemi edhe objektivat sipas planit vjetor për vitin 2019, të aprovuar nga bordi i fondit të sigurimeve shëndetësore. Sipas ligjit aktual në 90 ditë para fillimit të vitit të ri fiskal, jemi të obliguar që të dërgojmë listën e shërbimeve bazike me çmime në Qeveri për aprovim në mënyrë që të përcaktohen çmimet e çdo shërbimi shëndetësor dhe më pas të përcaktohet edhe buxheti i fondit për vitin e ardhshëm fiskal’’, tha Plakiqi.
Me gjithë zvarritjet e implementimit të ligjit, qytetarët në vend mendojnë se ky ligj duhet procedohet sa më shpejtë.
Mirlinda Loku, 23 vjeç, studente e Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, mendon se ligji për sigurime shëndetësore është shumë i nevojshëm.
“Mendoj se me hyrjen në fuqi të këtij ligji do të ngritën edhe cilësia e shërbimeve shëndetësore. Pastaj besoj edhe çmimet në ordinanca private do të ulen, pasi ligji e imponon në një mënyrë një gjë të tillë”, tha Loku.
Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, bëri të ditur se drafti final i fondit të sigurimeve shëndetësore është dashur të dorëzohet me 15 gusht 2019, dhe tani situate politike ka ndryshuar dhe mund të them se nuk ka datë për këtë çështje.
“Në shëndetësinë e Kosovës nuk kemi financim të qëndrueshëm. Është punuar shumë seriozisht për ligjin për sigurime shëndetësore si draft final, nga ana e fondit për sigurime shëndetësore, por për këtë ligj politika po vendos dhe tani nuk ka datë”, tha Syla
Sipas Sylës rreth 200 milionë euro dalin jashtë Kosovës për shërbime shëndetësore nga personat që kërkojnë shërim jashtë vendit.
“Mendoj se shumë më pak do të ishte kostoja e ligjit për sigurime shëndetësore. Plus sa para japin qytetarët në mënyrë informale për shërbime shëndetësore. Pra dëmi për qytetarët është shumë i madh derisa çdo parti politike ka dështuar në këtë aspekt”.
Fatmir Plakiqi, drejtor i Fondit për Sigurime Shëndetësore tha se pa ndihmën financiare të Qeverisë së Kosovës, implementimi i ligjit do të jetë i pa mundur, duke marrë parasysh siç thotë ai, numrin e madh të qytetarëve në skema sociale.
“Ne i kemi bërë disa analiza për sektorin e shëndetësisë dhe kemi marrë gjitha shpenzimet në tre vjetët e fundit, dhe kemi ardhur në përfundim që sektori i shëndetësisë duhet financohet nga fondet qeveritare, për shkak se kemi një numër të madh të skemave sociale që nuk kanë mundësi të paguajnë kontributin për sigurime shëndetësore.
Mbi 26,000 familje, ose rreth 108 mijë persona, janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe marrin asistencë sociale.