SHBA-ja dhe Britania e Madhe sërish reagojnë për rastin e Naser Shalës

Ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se qëndrimi edhe më tutje në detyrë i kreut të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Naser Shala, minon besimin e qytetarëve në përzgjedhjen me meritë në procesin e punësimit.

Ambasadori amerikan ka theksuar përmes një postimi në Twitter, se veprimi i ndërshëm për të gjithë të pakualifikuarit është dorëheqja.

“I pakualifikuari Naseri Shala vazhdon të qëndrojë në krye të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, duke minuar besimin e qytetarëve në përzgjedhjen me meritë në procesin e punësimit. Është koha që partitë të propozojnë zgjidhje për t’i dhënë fund korrupsionit dhe nepotizmit”, ka shkruar Kosnett.

Menjeherë pas ambasadorit Kosnett, ka reaguar edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, i cili ka thënë se Shala nuk duhej të ishte emëruar kurrë në atë pozitë.

"Jam plotësisht dakord. Ai është i pakualifikuar, i paaftë dhe nuk duhej të ishte emëruar kurrë në atë pozitë Qeveria Britanike ndihmoi në procesin dhe tregoi se kishte një kandidat të kualifikuar, por shumica e deputetëve në Kuvend, nga shumë parti, preferuan nepotizmin dhe favoret e ndërsjella në vend të një shërbimi publik të kualifikuar dhe të pavarur. Një fyerje për taksapaguesit britanikë: kjo është arsyeja pse unë dhashë dorëheqjen. Nuk është çudi që edhe SHBA-ja po humb durimin”, ka shkruar ambasadori O’Connell.

Në fillim të muajit mars, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe patën reaguar lidhur me emërimin nga Kuvendi i Kosovës, të Naser Shalës në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.

Pas këtij emërimi, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell pati dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të kësaj agjencie, në shenjë pakënaqësie për emërimin e Shalës, duke e konsideruar se ai nuk i ka përmbushur kriteret dhe është shkelur memorandumi i bashkëpunimit që ka pasur ambasada me institucionet e Kosovës.