Trump i mohon akuzat e demokratëve për racizëm

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mohoi se është racist pas komenteve të bëra për një kongresist demokrat me ngjyrë dhe për qytetin amerikan të Baltimores.

Trump e sulmoi verbalisht kongresistin Elijah Cummings, duke e cilësuar qarkun e tij në Baltimore, i banuar me shumicë me ngjyrë, si "rrëmujën më të neveritshme dhe më irrituese".

Disa demokratë, përfshirë udhëheqësen e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e kritikuan presidentin për gjuhën e përdorur.

Trump ua ndërroi drejtimin kritikave, duke e akuzuar kongresistin Cummings për racizëm.

"Nuk ka asgjë raciste në deklarimin e asaj që shumica e njerëzve e dinë, se Elijah Cummings ka bërë një punë të tmerrshme për njerëzit e rrethit të tij", shkroi Trump në një postim në Twitter.

"Demokratët gjithmonë luajnë me kartën e racizmit kur nuk janë në gjendje të fitojnë me fakte", tha Trump, duke mos ofruar asnjë shembull për veprimet e pretenduara raciste të kongresistit Cummings.

Si kryetar i Komitetit për Mbikëqyrje, në kuadër të Dhomës së Përfaqësuesve, Cummings ka nxitur disa hetime në administratën Trump, përfshirë trajtimin e migrantëve në qendrat e paraburgimit.

Trump i bëri komentet për Cummingsin vetëm disa javë pasi ai u kritikua për disa deklarata të tjera, duke iu thënë katër kongresisteve me ngjyrë që "të kthehen" në vendet nga vijnë.

Lexoni edhe këtë:

Kongresistet amerikane: Mos bini në kurthet e retorikës së Trumpit!