Rumania ka njoftuar se ka bllokuar një dërgesë me pajisje ushtarake nga Rusia në Serbi më herët gjatë këtij muaji, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës.
Në një deklaratë të lëshuar më 26 korrik, ministria e Jashtme e Rumanisë ka thënë se nuk ka mundur të miratojë një leje për kalim në territorin e këtij shteti, bazuar në ndalesat e vëna më 2014.
Rusia po përballet me sanksionet perëndimore, për shkak të aneksimit të Krimesë nga Ukraina në mars të vitit 2014, si dhe për shkak të mbështetjes ndaj separatistëve në lindje të Ukrainës.
Nga konflikti në lindje të këtij shteti deri më tani kanë vdekur 10,300 persona.
Sipas agjencisë së lajmeve, Associated Press, zyrtarët serbë janë ankuar më herët gjatë këtij muaji se Rumania, shtet anëtar i NATO-s, ka parandaluar dërgesën e 60 tankeve ruse dhe mjeteve tjera të armatosura, përmes Lumit Danub për në Serbi.
Mirëpo ministria ruse e Mbrojtjes ka mohuar nisjen e kësaj dërgese në Serbi përmes Danubit.
Në një deklaratë, të cilën e ka cituar Interfax më 26 korrik, ministria e Jashtme ruse ka thënë se këto raportime janë “absolutisht të rreme”.
Rusia ka furnizuar Serbinë me pajisje ushtarake, duke rritur shqetësimet në rajonin e Ballkanit.
Deri më tani, Serbia ka pranuar gjashtë aeroplanë luftarakë të llojit, MiG-29 nga Rusia.