Thaçi do t'i nisë konsultimet me partitë politike nga java e ardhshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar përmes një komunikate se pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Mandati kushtetues i Presidentit të Republikës së Kosovës është i pacenueshëm për të siguruar respektim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe për të ruajtur sigurinë e rendit juridik e kushtetues në vendin tonë”, theksohet në komunikatë.

Thaçi ka sqaruar se “çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore”.

“Presidenti i Republikës së Kosovës i siguron gjithë qytetarët se çdo veprim i tij do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit”, thuhet në komunikatë.

Të premtën, më 19 korrik, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, pasi që ishte ftuar nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Veçanta në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Nga ai moment, spektri politik i ka bërë thirrje presidentit Thaçi të ndërmarrë veprime për tejkalimin e gjendjes, qoftë përmes formimit të qeverisë së re apo shpalljes së zgjedhjeve të reja.