SHBA do të nisë dëbimin masiv të imigrantëve të paligjshëm

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Shtetet e Bashkuara thanë se do të nisin arrestimin e së paku 2,000 familjeve imigrante, që ligjërisht do të mund të dëbohen.

Operacioni mbarëkombëtar u kërkua nga presidenti Donald Trump, i cili premtoi se do të largojë "miliona" banorë të paligjshëm nga SHBA-ja.

Operacioni pritet të nisë më 14 korrik, pasi u shty muajin e kaluar.

Gazeta New York Times raportoi se bastisjet janë shtyrë për shkak të mospajtimeve brenda administratës.

Mbështetësit e të drejtave të imigrantëve shprehën zemërim mbi bastisjet e planifikuara në dhjetë qytete të mëdha.

Operacione të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën, megjithëse është e pazakonshme të shënjestrohen familje dhe jo imigrantë me histori kriminale.

Trump e ka bërë trajtimin e imigrimit të paligjshëm prioritet të administratës së tij, edhe pse kritikët thonë se ai përpiqet të krijojë armiqësi ndaj popullatave migrante për qëllime politike.