Në Bosnje vazhdon punimet samiti rajonal, pa Kosovën

Jahorinë, Bosnje, 9 korrik 2019.

Në Jahorinë të Bosnje dhe Hercegovinës po zhvillohet dita e dytë e samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, në nivel presidentësh.

Nikoqiri i ngjarjes, anëtari serb i Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik, tha në fjalën hyrëse se samiti është një mundësi për shkëmbimin e çështjeve të rëndësishme për rajonin, veçanërisht për integrimin euroatlantik.

"Mbledhja jonë e sotme është një konfirmim se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi në Evropën Juglindore. Shumë do të vlerësojnë se situata në Evropën Lindore nuk është ashtu siç do të donim dhe unë kryesisht pajtohem me një vlerësim të tillë. Para 23 vjetësh, ky proces është themeluar si një forum ku do të zgjidhnim problemet. Këtë po e bëjmë edhe sot. Do ta shfrytëzojmë këtë iniciativë për të mirën e të gjithëve në rajon", tha Dodik, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Në samitin në Sarajevë marrin pjesë përfaqësues të Bosnje dhe Herzegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Greqisë, Kroacisë, Moldavisë, Rumanisë, Turqisë dhe Sllovenisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pavarësisht "gatishmërisë dhe vullnetit" për të marrë pjesë në samit, ai ka vendosur të mos shkojë në Sarajevë, sepse, siç ka thënë në një postim në Twitter, "trajtimi dhe deklaratat nga Presidenca e Bosnje dhe Hercegovinës nuk janë në favor të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave dhe parimeve të BE-së".

Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta po merr pjesë në këtë samit, edhe pse ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj kishte deklaruar paraprakisht se Shqipëria në shenjë solidarizimi me Kosovën, nuk do të marrë pjesë.

Meta, ka shprehur keqardhjen për mospjesëmarrjen e Kosovës, si një shtet që në të ardhmen do të jetë kryesues i një samiti të tillë.

“Si mund të shtiremi se kemi një bashkëpunim të suksesshëm nëse disa nga pjesëmarrësit në këtë Forum bëjnë gjithçka për të përjashtuar njerëzit, në mënyrë që vendet të mos përfitojnë nga iniciativat rajonale, si siguria, kultura e arsimi”, ka deklaruar Meta.

Ai i ka kërkuar Bosnje e Hercegovinës, por edhe shteteve tjera të rajonit, që të njohin realitetin përkatësisht Republikën e Kosovës si një vend i pavarur dhe sovran dhe ta trajtojnë atë me respekt.

Ndaj fjalimit të Metës ka reaguar kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq duke thënë se Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore "nuk e njeh Kosovën”.

Ajo tha se ka një format të qartë, sipas të cilit Kosova mund të merrte pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore dhe ftoi presidentin shqiptar Ilir Meta të përmbahet nga provokimet.

Më shumë në këtë temë: