Kuvendi i Shqipërisë miraton Komisionin Hetimor për sharkimin e presidentit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta gjatë një fjalimi të tij në Kuvendin e Shqipërisë. Foto nga arkivi.

Me 101 vota pro, 6 kundër dhe 3 abstenime Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Komisioni do të ketë 9 anëtarë, 5 nga partia në pushtet dhe 4 nga opozita e re parlamentare e cila zuri vend në Kuvend, pasi partitë opozitare dhe aleatët e tyre të djathtë dogjën mandatet e tyre.

Kjo iniciativë e Partisë Socialiste për shkarkimin e presidentit vjen pasi ky i fundit disa javë më parë ka shfuqizuar dekretin presidencial për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale në Shqipëri për 30 qershor dhe ka thënë se zgjedhje në Republikën e Shqipërisë “nuk ka dhe nuk do të ketë pa dekretin e presidentit”.

Ai këtë vendim e mori pasi që opozita në Shqipëri ka djegur mandatet në Kuvend, dhe ka disa muaj që proteston duke kërkuar largimin e Qeverisë, që udhëhiqet nga Edi Rama.

Megjithatë, Partia Socialiste shkoi pothuajse e vetme në zgjedhjet lokale, ku në 31 nga 61 bashkitë ka qenë pa asnjë kundërkandidat, ndërsa në 30 të tjerat kanë garuar kandidatë të pavarur apo kandidatë të partive të vogla.

Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka bërë të ditur se pjesëmarrja në votime në të gjithë Shqipërinë ishte 21.6%.

Deri tani, Qeveria dhe opozita nuk kanë gjetur rrugë të përbashkët për të dialoguar për zgjidhjen e kësaj krize politike.

Shqipëria, përveç krizës politike mes partive dhe institucioneve, është zhytur edhe në një krizë konstitucionale me mungesën e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese në vend mbeti jashtë funksionit dhe e mbyllur përkohësisht, pasi nga nëntë anëtarët e saj, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, katër janë rrëzuar në procesin e vettingut (verifikim apo kontroll i detajuar për zyrtarët publikë) dhe vetëm dy kanë mbetur.

Vlefshmëria kushtetuese e votimeve të 30 qershorit, por edhe vendimi i presidentit për të anuluar ato, do të mund të vërtetohet vetëm pas krijimit të Gjykatës Kushtetuese, gjë për të cilën të gjithë akterët e përfshirë po bëjnë thirrje që të krijohet sa më parë.