Irani do të rrisë nivelin e uraniumit të pasuruar, aq sa i duhet, përtej limitit që ia lejon marrëveshja bërthamore e vitit 2015, tha presidenti i Iranit, Hassan Rohani.
Me këtë deklaratë, ai sfidoi thirrjet e fuqive botërore për t’iu përmbajtur marrëveshjes.
Më parë këtë javë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore konfirmoi se Irani kishte rezervuar më shumë uranium të pasuruar se sa që është lejuar sipas marrëveshjes bërthamore, një masë që nxiti presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të paralajmëronte Iranin se është "duke luajtur me zjarrin".
Palët evropiane të marrëveshjes - Gjermania, Britania dhe Franca - i kërkuan Teheranit që "të përmbahet nga veprimet e mëtejshme që dëmtojnë marrëveshjen bërthamore".
"Ne kemi qenë konsekuent dhe të qartë se angazhimi ynë ndaj marrëveshjes bërthamore varet nga përmbushja e plotë nga Irani", thanë në një deklaratë të përbashkët ministrat e Jashtëm të tri vendeve evropiane.
Kina dhe Rusia janë bashkë-nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes.
Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja në maj të vitit 2018.