Izraeli është duke u përgatitur për një përfshirje të mundshme ushtarake, në ndonjë përshkallëzim të tensioneve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, tha të martën ministri i Jashtëm izraelit, Yisrael Katz.
"Ne duhet të jemi të përgatitur për këtë, dhe kështu shteti i Izraelit vazhdon të përkushtohet në ndërtimin e fuqisë së tij ushtarake në rast se do t'i duhet t'i përgjigjet skenarëve të përshkallëzimit", tha Katz.
Raportet mes Iranit dhe SHBA-së janë tensionuar edhe më shumë, pasi të hënën u njoftua se, Teherani ka shkelur marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore, nga e cila është tërhequr SHBA-ja në vitin 2018.
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, tha se Irani tani kishte tejkaluar kufirin në rezervat e uraniumit të pasuruar.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se “Irani po luan me zjarrin”, përderisa presidenti i Francës, Emmanuel Macron i bëri thirrje Iranit të "zvogëlojë menjëherë" rezervat me uranium të pasuruar.
Izraeli ka inkurajuar administratën e presidentit Trump të shtyjë përpara me sanksione, duke parashikuar që Teherani do të rinegociojë një marrëveshje bërthamore më kufizuese.