Në Shqipëri ka përfunduar i qetë procesi i votimit në zgjedhjet lokale. Në 61 bashki qytetarët kanë votuar për kryetarët e bashkive të tyre, megjithëse këto zgjedhje u mbajtën pa partitë kryesore opozitare në vend.
Në 31 nga 61 bashkitë, Partia Socialiste ka qenë pa asnjë kundër-kandidat, ndërsa në 30 të tjerat kanë garuar kandidatë të pavarur apo kandidatë të partive të vogla.
Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka bërë të ditur se pjesëmarrja në votime në të gjithë Shqipërinë ishte 21.6%.
Mbyllja e vendvotimeve në Tiranë
Your browser doesn’t support HTML5
Këto votime u mbajtën në kushte jo të zakonshme, me siguri më të lartë nga forcat policore dhe me ndasi të thellë mes të gjithë akterëve politikë të Shqipërisë, duke e vendosur në pikëpyetje vlefshmërinë e tyre.
Qytetarët e Shqipërisë duket se u vunë mes vendimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive, apo për të zgjedhur të bojkotojnë totalisht këto zgjedhje.
Opozita kishte deklaruar se nuk do të lejonte zhvillimin e tyre dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që “të mos marrin pjesë në një proces farsë”. Krerët opozitarë kanë thënë se këto nuk janë zgjedhje, por vetëm votim për një parti dhe e kanë quajtur ditën e diele si “ditë zie” dhe se “këto zgjedhje janë mono-partiake”.
Megjithatë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e quajti “revolucion imagjinar” iniciativën e opozitës. Ai, në fjalimin e mbajtur pas mbylljeve të vendvotimeve e quajti 30 qershorin “moment historik” dhe tha se vazhdon të jetë i gatshëm për dialog pa kushte me opozitën, por tha se reforma në drejtësi në asnjë rrethanë nuk do të diskutohet.
“Nëse duan paqe politike, paqe do të kenë. Dhe paqja mund të fillojë vetëm duke u tërhequr pak e nga pak, por në mënyrë të dukshme nga sulmet e Shqipërisë në gjuhë të huaj. Nëse duan marrëveshje për Shqipërinë, marrëveshje do të kenë dhe marrëveshja mund të ndërtohet vetëm më dialog”, tha kryeministri.
Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike në opozitë Lulzim Basha, tha se “85% e shqiptarëve refuzuan votimet moniste duke braktisur maskaradën e Edi Ramës”.
“Sot shqiptarët braktisën në masë maskaradën e votimit njëpartiak të Edi Ramës. Tetëdhjetëepesë për qind e votuesve të regjistruar refuzuan votimet e paligjshme moniste”, tha zoti Basha në një konferencë për media.
Në anën tjetër, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i cili ka anuluar zgjedhjet e së dielës përmes çdekretimit të dekretit të mëparshëm për këtë ditë, ka caktuar një datë të re të zgjedhjeve lokale në vend. Ai bëri të ditur se ka dekretuar 13 tetorin si ditë kur qytetarët e Shqipërisë do të votojnë për kryetarët e bashkive të tyre.
Megjithatë, Partia Socialiste ka shpërfillur vendimin e Presidentit dhe e ka quajtur atë jokushtetues, duke vazhduar fushatën zgjedhore e vetme. Përgjatë krejt fushatës, PS-ja u prit me protesta nga qytetarët, të cilët edhe dogjën materialet e votimit nëpër disa qendra të votimeve në Shqipëri.
Presidenti, po ashtu, një ditë më herët ka bërë thirrje për qetësi për ditën e diele. Zoti Meta kërkoi nga qytetarët “vetëpërmbajtje dhe sjellje civile e demokratike”.
“Shmangni provokimet që mund t'ju çojnë drejt dhunës, në mënyrë që dallimet politike të mos cenojnë bashkëjetesën qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet dhe në të gjithë shoqërinë tonë”, ka shkruar Meta në Facebook.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke iu referuar zgjedhjeve të 30 qershorit, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë kishte thënë se ai dhe partia e tij janë të gatshëm për dialog me opozitën, por se “nuk negociojnë demokracinë”.
“Unë kam insistuar për dialog, gjithmonë. Kam bërë të gjitha përpjekjet për dialog. E vetmja gjë që nuk mund të negociohet është demokracia dhe patjetër nuk mund të negociohen edhe afatet kur populli duhet të marrë fjalën, këto janë të panegociueshme, gjithçka tjetër është lehtësisht e negociueshme”, tha Rama.
Mbyllja e vendovotimeve në Shkodër
Your browser doesn’t support HTML5
Që nga muaji shkurt, opozita organizoi vazhdimisht protesta në Tiranë me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar atë të papranueshëm që të jetë në krye të Qeverisë shqiptare në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve.
Kërkesat dhe protestat e opozitës për largimin e kryeministrit Edi Rama, janë intensifikuar edhe pas publikimit të përgjimeve telefonike nga gazeta gjermane “BILD” ku dëgjohen politikanë socialistë dhe ish-ministra të Qeverisë Rama që diskutojnë për rezultate maksimale të votimeve, dhe dyshohen të jenë të përfshirë në manipulim të procesit zgjedhor.
Tridhjetë qershori u njoh si datë zyrtare e zgjedhjeve edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe ambasadat me seli në Tiranë. Ata, po ashtu kanë bërë thirrje për lejim të qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe për mbarëvajtje të këtij procesi pa tensione dhe qetësi.
Shqipëria, përveç krizës politike mes partive dhe institucioneve, është zhytur edhe në një krizë konstitucionale me mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese në vend mbeti jashtë funksionit dhe e mbyllur përkohësisht, pasi nga nëntë anëtarët e saj, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, katër janë rrëzuar në procesin e vetingut (verifikim apo kontroll i detajuar për zyrtarët publikë) dhe vetëm dy kanë mbijetuar.
Si u zhyt Shqipëria në këtë krizë politike?
Ndërkohë, Parlamenti nuk arriti t’i emërojë anëtarët e rinj.
Vlefshmëria kushtetuese e votimeve të ditës së diele, por edhe vendimi i presidentit për të anuluar ato, do të mund të vërtetohet vetëm pas krijimit të Gjykatës Kushtetuese, gjë për të cilën të gjithë akterët e përfshirë po bëjnë thirrje që të krijohet sa më parë.
Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për BE në vitin 2014, dhe javë më parë Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por ata nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur mund të fillojë ky proces.