Ekipi Negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë është shpallur jokushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Gjykata ka vendosur në favor të lëndës së parashtruar nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje me të cilën kontestohet jo kushtetues Ligji për Delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë.
Në një komunikatë për media thuhet se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se “delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit".
Gjykata ka konstatuar se "si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”.
Më tej, Gjykata konstatoi se bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek “mekanizmi i posaçëm” i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse, siç thuhet, i mvesh delegacionit shtetëror funksione të cilat nuk përkojnë me dispozitat kushtetuese.
Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ekipin Negociator të Kosovës, me në krye zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti. Ky ekip, ishte paraparë të funksiononte mbi bazën e Ligjit për kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, por i cili ishte kontestuar nga LDK dhe Vetëvendosje, të cilat i ishin drejtuar Kushtetueses me kërkesën për interpretim.
Fillojnë dorëheqjet e udhëheqësve të Ekipit Negociator
Menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti ka thënë se që nesër (e premte) do t’i dorëzojnë dorëheqjet. Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka thënë se dialogu me Serbinë është procesi më i rëndësishëm politik sot në Kosovë dhe për të nevojitet koncesus dhe vendimmarje në Kuvend.