Kushner: Palestinezët ende kanë kohë për t'iu bashkuar planit të paqes

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, ka thënë të mërkurën se për palestinezët vazhdon të mbetet dera e hapur, për t’u angazhuar në planin e paqes, pasi ka akuzuar udhëheqësinë e Autoritetit Palestinez për dëmtim të popullit.

“Nëse ata dëshirojnë të përmirësojnë jetën e njerëzve, ne kemi hartuar një plan, të cilit ata mund t’i bashkohen dhe të tentojnë ta realizojnë atë”, ka thënë Kushner, dhëndrri i presidentit amerikan, Donald Trump, teksa ka përfunduar punimet për ditën e sotme për këtë çështje në Bahrein, pavarësisht pse ato janë bojkotuar nga udhëheqësia palestineze.

“Ne do të qëndrojmë optimistë. Ne e kemi lënë të hapur derën gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.

Autoriteti palestinez ka thënë se plani 50 miliardësh i Kushnerit është arsyetim i administratës pro-izraelite të Trumpit për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike.

Kushner në anën tjetër ka thënë se persona të ndryshëm kanë hartuar planet politike dhe ato ekonomike.

“Një nga gjërat që secili në këtë punëtori është duke vërejtur është se reformat janë të mundshme”, ka thënë Kushner, duke iu referuar rekomandimeve për të përmirësuar ekonominë palestineze.

Kushner po ashtu ka thënë se pjesa politike e planit do të bëhet e ditur në një periudhë, që administrata e konsideron të përshtatshme.

Kombet e Bashkuara, ashtu si edhe shumë vende tjera mbështesin zgjidhjen me dy shtete në këtë rajon, e cila është mbështetur nga çdo plan paqeje për dekada të tëra.

Palestinezët kanë thënë se ndërpresin komunikimin me SHBA-në, derisa presidenti Trump e ka njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Palestinezët e duan Jerusalemin Lindor, për kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.