Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një projektligj që parasheh ndarjen e 4.5 miliardë dollarëve ndihmë humanitare për kufirin jugor që ndan SHBA-në me Meksikën.
Disa vdekje të migrantëve, bashkë me raportimet për neglizhim të fëmijëve në kufi, kanë nxitur edhe më shumë diskutimet për këtë çështje.
Mirëpo miratimi i këtij projektligji pritet të kundërshtohet në Senatin e kontrolluar nga republikanët.
Këta të fundit janë duke shqyrtuar një tjetër projektligj me kufizime tjera, rreth asaj se si mund të shpenzojnë agjencitë, fondet nëse do të ndahen.
Versioni i demokratëve në anën tjetër, e parasheh qartë, që fondet mund të përdoren vetëm për ndihmë humanitare, dhe jo për “bastistje të imigrantëve, shtretër të zona të ndalimit, apo për ndërtim të murit”.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump do të këshillohet për t’i vënë veton projektligjit të hartuar nga demokratët, nëse i dërgohet në tavolinë, “në këtë formë”.
Administrata e presidentit Trump ka akuzuar demokratët se po synojnë “të fitojnë përparësi në krizën që ekziston aktualisht”.
Politika “zero tolerancë” e Trumpit është bërë e ditur për publik në fillim të vitit 2018, përmes së cilës janë ndaluar të rriturit që kanë kaluar ilegalisht kufirin, duke i ndarë migrantët edhe nga fëmijët e tyre.