Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se përmbyllja e dialogut politik me Serbinë, me marrëveshje ligjërisht obligative, që nënkupton njohje reciproke, është interes nacional i Kosovës.
Ai i ka bërë këto deklarata të hënën në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Thaçi po ashtu e ka konsideruar të domosdoshëm faktin që në Kosovë të ketë unitet në këtë proces.
"Nuk kam kurrfarë dyshimi që marrëveshja mund të arrihet këtë vit, marrëveshje ligjërisht obligative mes Kosovës dhe Serbisë, por nëse nuk ndodh, do të hyjmë në një fazë të rrezikshme të këtyre raporteve, e cila edhe mund të destabilizojë jo vetëm raportet tona si dy shtete, por edhe rajonin”, është shprehur ai.
Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme për dialog, në mënyrë që, siç është shprehur ai, një herë e përgjithmonë të qartësohet raporti me shtetin e Serbisë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel ka nisur më 2011.
Aktualisht ky proces është bllokuar pasi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka përmendur taksën prej 100 për qind, që, Qeveria e Kosovës ka vendosur në importet e Serbisë, si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në anën tjetër ka thënë se kjo masë do të vazhdojë së aplikuari derisa Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës.
"Fatkeqësisht situata dhe zhvillimet e fundit nuk janë aspak premtuese. Gjërat nuk po lëvizin fare dhe aktualisht jemi duke vendnumëruar, përkundër iniciativave të fundit për të zhbllokuar dialogun, rezultati është zero. Mungesa e dialogut dhe perspektivës për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, është rreziku ma i madh i mundshëm për sigurinë e stabilitetin për të dy vendet dhe rajonin", ka shtuar Thaçi.
Në hulumtimin që ka bërë Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka dalë se 32 për qind e qytetarëve të Kosovës e kanë përkrahur ndryshimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Presidenti Thaçi ka ritheksuar që opsioni i ndryshimit të kufirit apo demarkimit të kufirit, ka siguruar përkrahjen më të madhe të qytetarëve të Kosovës, përkundër asaj që Thaçi e ka konsideruar fushatë negative të partive politike ndaj këtij skenari.
"Është për keqardhje që klasa politike kosovare po dështon që të bashkohet për bërë realitet idealin e bashkatdhetarëve tonë të Luginës së Preshevës Medvegjës dhe Bujanocit që t'i bashkëngjiten Kosovës", ka thënë ndër të tjera presidenti i Kosovës.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë në anën tjetër se plani i Serbisë për ndarjen e Kosovës ka dështuar mirëpo, sipas tij, ideja për këtë çështje ende është e gjallë.