Trump tërheq vendimin për sulm ndaj Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Presidenti Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka ndalur planet për një sulm të armatosur kundër Iranit, pasi sipas tij, kjo nuk do të ishte një përgjigje proporcionale ndaj rrëzimit të dronit të SHBA-së nga ana e forcave të Teheranit.

Trump tha se ndaj Iranit janë vendosur sanksione shtesë.

“10 minuta para sulmit unë e ndala atë. Nuk ishte në proporcion me rrëzimin e dronit. Unë nuk e kam me nguti. Ushtria jonë është e re, dukshëm më e mira në botë, dhe e gatshme për veprim. Sanksionet janë shtuar”, shkroi Trump.

Lidhur me tërheqjen e vendimit për sulm, më parë kishin raportuar mediat amerikane.

Gazeta New York Times raportoi se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump kishte miratuar sulme ushatarake kundër Iranit, por befas e kishte anuluar vendimin.

Sulmet ishin miratuar si hakmarrje ndaj rrëzimit të një aeroplani pa pilot të SHBA-së, nga ana e forcave iraniane.

Gazeta tjetër, The Times, raportoi se ka pasur “diskutime intenzive” në Shtëpinë e Bardhë, dhe se zyrtarët ushtarakë dhe diplomatikë po prisnin një sulm ushtarak.

Sipas Times, në këto diskutime u përfshinë zyrtarët kryesorë të sigurisë kombëtare të presidentit Trump dhe liderët e Kongresit. Zyrtarët i thanë gazetës, se Trump fillimisht kishte miratuar sulme ndaj disa objektivave iraniane, duke përfshirë radarë dhe bateri raketash.

Raportimet thanë se sulmet do të zhvilloheshin pak para agimit, më 21 qershor, për të minimizuar rrezikun ndaj personelit ushtarak iranian ose civilëve.

Një zyrtar i lartë i administratës tha se operacioni ishte në proces në fazat e hershme të tij, kur u pezullua.

Ai ka thënë për The Times, se aeroplanët ishin në ajër dhe anijet luftarake ishin të pozicionuara por asnjë raketë nuk ishte gjuajtur në kohën kur arriti urdhëri për të mos sulmuar.

SHIKONI EDHE: Irani “u zmbraps” nga një sulm kundër forcave amerikane

Gazeta tha se nuk ishte e qartë nëse Trump "thjesht ndryshoi mendjen e tij për sulmet apo nëse administrata ndryshoi kursin për shkak të logjistikës ose strategjisë".

Këto zhvillime vijnë një ditë pasi ushtria iraniane njoftoi se ka rrëzuar një dron amerikan, që sipas saj, kishte hyrë në hapësirën ajrore të Iranit.

Mirëpo, Shtetet e Bashkuara e mohuan këtë akuzë duke thënë se droni ka qenë duke operuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Presidenti Donald Trump tha se rrëzimi i fluturakës është një gabim shumë i madh nga ana e Iranit.

I pyetur më pas nga gazetarët për përgjigjen e SHBA-së ndaj rrëzimit të fluturakës nga ana e Iranit, presidenti i SHBA-së, tha se “së shpejti do ta kuptoni”.

Irani thotë se ka prova "të padiskutueshme" se një dron i SHBA-së, që u qëllua më 20 qershor, shkeli hapësirën ajrore iraniane.

Ministria e Jashtme e Iranit e bëri deklaratën, vetëm pak orë pasi mediat e SHBA-së njoftuan se Presidenti Donald Trump miratoi dhe më pas anuloi sulmet ushtarake kundër Iranit.

Ndërkohë, i dërguari i SHBA për Iranin, Brian Hook, tha se ishte "është e rëndësishme se po bëjmë gjithçka" për të ulur tensionet me Iranin.

"Diplomacia jonë nuk i jep Iranit të drejtën për t'u përgjigjur me forcë ushtarake", tha Hook në kryeqytetin saudit, Riad.

"Irani duhet të përgjigjet me diplomaci dhe jo me forcë ushtarake", tha ai.

Reuters citoi zyrtarët e qeverisë iraniane të kenë thënë se Teherani mori një mesazh nga presidenti Trump, përmes Omanit, për një sulm të menjëhershëm ndaj Iranit, në të njëjtën kohë duke bërë thirrje për bisedime.

Zyrtarët iranianë thanë për Reuters se “lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei ishte kundër mbajtjes së "çdo lloj bisede" me Shtetet e Bashkuara.

Raportet vijnë në kohën e tensioneve të larta midis Uashingtonit dhe Teheranit, që kanë rritur frikën edhe për mundësinë e një konflikti të armatosur në rajon.

Disa ditë më parë, SHBA-ja akuzoi Iranin për sulmin ndaj cisternave të naftës në Gjirin e Omanit.

Irani kishte mohuar akuzat mirëpo Uashingtoni publikoi video-incizime në të cilat shiheshin pjesëtarë të Gardës revolucionare të Iranit afër cisternave.

SHBA-ja e akuzon Iranin si sponsorizuesin kryesor të terrorizmit në rajon.

Përgatiti: Kestrin Kumnova