Anulohet projektligji për ekstradim në Hong Kong

Qeveria e Hong Kongut ka anuluar miratimin e një projektligj shumë të diskutueshëm për të lejuar ekstradimet në Kinë, raportojnë mediat lokale.

Shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, ka refuzuar të tërhiqet, mirëpo një numër i madh i këshilltarëve e kanë këshilluar ta suspendojë këtë projektligj.

Në një konferencë për medie të dielën, ajo njoftoi se projektligji do të suspendohet dhe rishikohet.

“Pas diskutimeve të brendshme dy ditët e fundit, unë njoftoj se Qeveria ka vendosur të suspendojë amandamentin legjislativ, të rifillojë komunikimin me të gjithë, si dhe të dëgjojë pikëpamjet e ndryshme të shoqërisë”, tha Lam.

Qindra mijëra persona kanë protestuar kundër projektligjit si dhe protesta të reja janë planifikuar për të dielën.

Qeveria e Kinës ka theksuar se projektligji i propozuar për ekstradimet do ta bënte vendin më të pasigurtë për kriminelët, derisa kritikët kanë thënë se kjo do të ndikonte drejtëpërdrejtë në pavarësinë e gjyqësorit.

Hong Kongu kishte qenë koloni britanike, por u kthye nën sundimin kinez më 1997, nën parimin “një shtet, dy sisteme”.

Ndryshimet në projektligj do të mundësonin që kërkesat për ekstradim nga autoritetet e Kinës, Taivanit dhe Makaut, të vendosen nga gjykatat e Hong Kongut.

Ky propozim vjen pas një rasti të profilit të lartë ku një qytetar i Hong Kongut kishte vrarë të dashurën e tij gjatë pushimeve në Taivan dhe nuk ka mundur të ekstradohet.

Qeveria thekson se ky projektligj është i rëndësishëm për të mbrojtur vendin nga kriminelët.