Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe kundërshtari i tij kryesor për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, demokrati, Joe Biden, kanë shkëmbyer sulme verbale, pasi që të dy vizituan shtetin e Iowa-s.
Para se të nisej nga Shtëpia e Bardhë për në Iowa, presidenti Trump e quajti ish-zëvëndëspresidentin Biden, një njeri “të dobët mentalisht”.
Trump, tallet me dështimet e kaluara në garat presidenciale të 76- vjeçarit, Joe Biden.
Trump tha se Biden “duket ndryshe nga ai, vepron ndryshe dhe është më i ngadalshëm”.
Në anën tjetër, gjatë një fjalimi në qytetin Ottumva, Biden tha se presidenti Trump është “një rrezik ekzistencial për Amerikën”.
Biden tha se Trump premtoi se do të mbrojë punëtorët dhe fermerët, por në vend të kësaj i ka bërë ata "këmbësorë" në luftërat e tarifave me vende si Kina dhe Meksika.
"Ai mendon se është i ashpër. Epo, është e lehtë të jesh i ashpër kur dikush tjetër ndjen dhimbjen", tha Biden.
Donald Trump pothuajse me siguri do të jetë kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ndërkaq, Biden kryeson në sondazhe, por përballet me dhjeta kundërshtarë demokratë për emërimin e partisë, e cila do të vendoset përmes një sërë zgjedhjesh të brendshme.
Ai ka qenë për gjashtë mandate senator, shërbeu si zëvendës i presidentit Barak Obama për dy mandate dhe u kandidua dy herë për president në vitin 1988 dhe 2008, mirëpo nuk pati sukses.