AKK-ja do të bëjë kontrollin e plotë të pasurisë së 974 zyrtarëve publikë

Ilustrim

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) do të bëjë kontrollin e plotë të pasurisë së 974 zyrtarëve publikë të Kosovës.

Lista me emrat e zyrtarëve, të cilët do të kalojnë në këtë procedurë, është zgjedhur në bazë të një shorti të cilin AKK-ja e bëri në prezencë të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave.

Nga 4862 zyrtarë që deklarojnë pasurinë në AKK, sipas shortit, 974 prej tyre do t’i nënshtrohën kontrollit të plotë të pasurisë, por Agjencia ka mandat të bëjë kontrollin e njëjtë edhe për zyrtarë tjerë, që nuk nuk janë përzgjedhur nga shorti.

“Agjencia këtë mund ta bëjë sipas detyrës zyrtare apo me kërkesë të publikut apo personave të tjerë të interesuar, në rastet kur ekzistojnë dyshime të bazuara në saktësinë dhe korrektësinë e deklarimeve”, thuhet në një komunikatë të AKK-së.

Agjencia Kundër Korrupsionit çdo vit bën publikimin e pasurisë të cilën e deklarojnë zyrtarët publikë të Kosovës.

Nga deklarimi i pasurisë që e kanë bërë këtë vit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, pasuri të trashëguar nga familja, para të gatshme dhe vetura luksoze, vlera e të cilave arrin miliona euro.

Lexo edhe këtë: Deklarimi i pasurisë nxjerr udhëheqësit milionerë të shtetit të varfër

Organizata joqeveriate “Çohu” e cila bën monitorimin e këtij procesi, ka gjetur se mospërputhje të vazhdueshme të këtyre vlerave të pasurisë së deklaruar. Sipas përfaqësuesit të kësaj organizate, Genc Nimoni,kjo vjen kryesisht për shkak të mungesës së një mekanizimi kontrollues dhe verifikues nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion për saktësinë e këtyre vlerave.