Meta shfuqizon dekretin për zgjedhjet

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka shfuqizuar dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, që ishin planifikuar të mbaheshin më 30 qershor.

Njoftimi për media nga Presidenca e Shqipërisë u bë pak kohë para nisjes zyrtare të protestës së opozitës.

Presidenti Meta ka bërë të ditur vetëm anulimin e dekretit me anë të të cilit ai kishte shpallur 30 qershorit si datën e zgjedhjeve, duke shtuar se në ditët ne vazhdim se “do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi”.

Në deklaratën e tij, presidenti Meta ka shpjeguar arsyet e vendimit të tij, duke thënë se ky vendimi ka ardhur si pasojë e “shqetësimit të thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mos-reflektimit të asnjërës palë”.

“Duke ftuar të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë, kam vendosur të shfuqizoj Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019”, shkruan presidenti.

Zoti Meta ka thënë se “kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020”.

Kryeministri Edi Rama, nga vizita e tij në qytetin e Beratit, ka kundërshtuar vendimin e presidentit, duke thënë se zgjedhjet do të mbahen pikërisht më 30 qershor.

Vendimi i presidentit të Shqipërisë vjen pasi vendi ndodhet në një krizë të thellë politike, ku dy partitë opozitare dhe aleatët e tyre të djathtë kanë djegur mandatet në Kuvend dhe kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe kanë thënë se nuk do të lejojnë mbajtjen e tyre.