Haradinaj: Jemi për marrëveshje me Serbinë që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit në Gjermani ka takuar kancelaren gjermane, Angela Merkel me të cilën ka diskutuar zhvillimet e fundit në rajon dhe bashkëpunimin e dyanshëm. Sipas një postimi në Facebook, Haradinaj tha se nga kancelarja gjermane ka marrë konfirmimin se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se është në favor të arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë, por, e cila do të përfundojë me njohje reciproke dhe që nuk prek kufijtë ekzistues të dy vendeve.

Haradinaj, i ka bërë këto komente pas takimit me anëtarët e Grupit Parlamentar për Evropën Juglindore të Bundestagut.

“Me deputetët gjermanë biseduam për zhvillimet e gjithmbarshme në vend dhe rajon, për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë-Gjermani dhe procesin e dialogut me Serbinë”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social, Facebook.

“Kam shprehur qëndrimin se Kosova është pro-dialogut për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues. Ritheksova se qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk gëzojnë lëvizje të lirë për shkak të regjimit të vizave dhe me të drejtë presin që Gjermania t’i japë këtij procesi epilog pozitiv”, është shprehur ai.

Takimet e Haradinajt në Gjermani pritet të trajtojnë edhe çështjen e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përgatitjen e takimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, më 1 korrik në Paris.

Si Samiti i Berlinit, i mbajtur më 29 prill, ashtu edhe ai i Parisit janë organizuar me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel ka nisur më 2011.

Aktualisht ky proces është bllokuar pasi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka përmendur taksën prej 100, që, Qeveria e Kosovës ka vendosur në importet e Serbisë, si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.

Kryeministri Haradinaj në anën tjetër ka thënë se kjo masë do të vazhdojë së aplikuari derisa Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës.

Heqjen e kësaj tarife e kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.