Institucionet e Drejtësisë në Kosovë e kanë liruar shtetasin rus, punonjës i Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), i cili u arrestua nga policia e Kosovës gjatë një aksioni në veri të vendit.
Prokurori Special i Kosovës, Sylë Hoxha ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se zyrtari i UNMIK-ut, është liruar pasi ka imunitet diplomatik dhe nuk mund të mbahet apo ndalohet në polici.
Lidhur me arrestimin e shtetasit rus gjatë ditës, ka reaguar edhe ambasada e Rusisë në Serbi e cila kërkoi që Kosova menjëherë të lirojë atë, raportoi agjencia e lajmeve RIA.
"Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të shtetasit rus dhe që përgjegjësit për këtë incident flagrant të merren në përgjegjësi", citohet të kenë thënë zyrtarë të ambasadës ruse.
Po ashtu, edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, kishte kërkuar lirimin e zyrtarit të këtij misioni, si dhe një punonjësi lokal, të cilët ishin ndaluar gjatë operacionit policor.
Policia e Kosovës të martën ka filluar një aksion në jug dhe veri të Mitrovicës për, siç është thënë, luftimin e krimit dhe kontrabandës.