Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ka bërë thirrje për tërheqjen e të gjitha forcave të huaja nga Afganistani.
Ai priti në Moskë një grup që përfaqësonte talibanët por të ftuar në takim ishin edhe ish-presidenti afgan, Hamid Karzai dhe ambasadori i Afganistanit në Rusi, Latif Bahand.
“Rusia është e bindur se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin në Afganistan. Mënyra e vetme për të arritur paqen është përmes mjeteve politike dhe diplomatike”, deklaroi Lavrov.
"Ne bëjmë thirrje për tërheqje të plotë të forcave të huaja. Ne po i bëjmë thirrje të gjitha palëve afgane që të fillojnë sa më shpejt bisedimet me një përfshirje të gjërë të forcave shoqërore dhe politike", tha Lavrov, duke përshëndetur pjesëmarrjen e delegacionit taliban në ngjarja, pavarësisht faktit se grupi militant është emëruar si organizatë terroriste nga ana e Rusisë.
Takimi në Moskë mbahet në kohën kur Shtetet e Bashkuara po i japin shtytje arritjes së një marrëveshjeje paqeje me talibanët.
Përfaqësuesi i SHBA-së, Zalmay Khalilzad ka zhvilluar disa herë bisedime me talibanët. Negociatat janë mbajtur në Katar.
Palët kanë bërë përparim në bisedime por talibanët kundërshtojnë negociatat e drejtëpërdrejta me qeverinë afgane.
Khalilzad i ka mirëpritur përpjekjet e Rusisë në këtë proces paqeje pavarësisht se disa zyrtarë amerikanë kanë thënë se Moska po e promovon vetën si një fuqi ndërmjetësuese për të sfiduar procesin e paqes të nisur nga SHBA-ja.