Lajiq: CEFTA është de facto e vdekur

Mirko Sharoviq dhe Rasim Lajiq - Sarajevë, 27 maj 2019.

Marrëveshja për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, CEFTA, e nënshkruar në vitin 2006 në Bukuresht, është e vdekur, tha ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Lajiq.

Ai i bëri këto komente në Sarajevë, ku takoi ministrin e Tregtisë dhe Ekonomisë të Bosnjës, Mirko Sharoviq.

Në takim u tha se mënyra aktuale e këmbimit tregtar nuk mund të jetë e qëndrueshme dhe se kjo ndodh si pasojë e taksës që u ka vënë Kosova mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

"Kemi konstatuar se CEFTA është de facto e vdekur. Kemi kërkuar nga Komisioni Evropian angazhim më të madh në reformimin urgjent të Marrëveshjes CEFTA", tha Lajiq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Sipas ministrit Sharoviq, eksportet e mallrave nga Bosnja në Kosovë kanë rënë ndjeshëm.

"Në katër muajt e parë të vitit 2019, Bosnja eksportoi mallra në Kosovë në vlerë prej vetëm 500 mijë eurosh, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2018 ky eksport arriti në mbi 19 milionë euro", tha Sharoviq.

Kosova, qysh në nëntor të vitit të kaluar, u ka vënë taksë 100% mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja.

Përkundër thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara për heqjen e kësaj tarife, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ajo do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Vendet anëtare të CEFTA-s janë: Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina dhe Moldavia.

Lexoni edhe këtë: Përfitimet dhe humbjet nga taksa