Kryeministrja britanike Theresa May do të dorëhiqet më 7 qershor

Kryeministrja britanike, Theresa May.

Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se do të dorëhiqet më 7 qershor, duke hapur rrugën për një kryeministër të ri të Britanisë së Madhe.

Në një deklaratë emocionale May tha se ajo kishte "bërë më të mirën" për të respektuar rezultatin e referendumit për daljen e Britanisë nga BE-ja.

Ajo shprehu "keqardhje të thellë" se nuk kishte qenë në gjendje të përfundonte procesin e Brexit-it.

Megjithatë ajo tha se një kryeministër i ri është "në interesin më të mirë të vendit".

Your browser doesn’t support HTML5

Kryeministrja britanike përlotet në fjalimin e dorëheqjes

May ka qenë nën presion për të dhënë dorëheqje pasi disa deputetë të partisë së saj dolën kundër planit të ri të Brexit-it, të cilin May tha se do ta dërgojë për votim në parlament.

Që nga janari i këtij viti, parlamenti britanik ka hedhur poshtë tri herë marrëveshjen e largimit të Britanisë nga BE-ja.

Britania është dashur të dalë nga Bashkimi Evropian më 29 mars por kryeministrja, Theresa May, nuk arriti të bindë ligjvënësit britanikë për të votuar marrëveshjen e arritur me udhëheqësit e BE-së.

Megjithatë ajo arriti të marrë pajtimin e BE-së për shtyrjen e afatit të Brexit-it deri më 31 tetor, datë kjo kur Britania duhet të dalë nga BE-ja me ose pa marrëveshje.