Kuvendi i Kosovës përkujton 20-vjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës

Kuvendi i Kosovës (Foto arkiv)

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë të veçantë për të shënuar 20-vjetorin e masakrës së Dubravës, e cila cilësohet si një nga masakrat më të mëdha kundër shqiptarëve, që ndodhën në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999.

I mbijetuari i kësaj masakrës, deputeti Nait Hasani tha se masakra në burgun e Dubravës ka qenë e planifikuar mirë, që nga urdhërdhënësit e deri të gardianët. Ai tha se vrasja e shqiptarëve në këtë burg, ka qenë e "planifikuar si një skenar filmi".

"Deri më sot askush nuk ka çarë kokën për burgun e Dubravës, asnjë qeveri e jona. Për këtë masakër nuk ka çarë kokën as Prokuroria e Pejës për 12 vjet. Që kur është bërë publik kallëzimi penal më 19 janar të vitit 2007. Kërkoj nga ministri i Drejtësisë të japë shpjegim pse është heshtur ky krim dhe kush ka ndikuar. Kjo heshtje do të thotë të bësh për së dyti krim", tha Hasani.

Ai gjatë fjalimit të tij adresoi edhe çështjen e zhdukjes së veprimtarit, Ukshin Hoti, i cili ka qenë i burgosur në këtë burg dhe që nga viti 1999 nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Në këtë seancë ku kanë qenë të pranishëm familjarët e viktimave, kanë folur edhe deputetë të tjerë të partive politike.

Masakrën e Dubravës e ka përkujtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në një postim të tij në faqen e tij në Facebook ka shkruar se "para 20 viteve, në burgun e Dubravës filloi njëra nga masakrat më mizore mbi të burgosurit shqiptarë, e kryer nga forcat policore serbe për disa ditë me radhë. Vrasja e 160 të burgosurve dhe plagosja e mbi 300 prej tyre, tregon më së miri natyrën gjenocidale të shtetit të Serbisë, që kreu mbi 400 masakra, vrau mbi 13 mijë civilë vetëm në vitet 1998-1999", ka shkruar Thaçi.

Ai po ashtu ka thënë se edhe pas 20 vjetësh, fatkeqësisht ende askush nga urdhëruesit dhe ekzekutuesit e këtyre krimeve me motive gjenocidi nuk doli para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se vrasja e 160 të burgosurve shqiptarë dhe plagosja e 200 të tjerëve në burgun e Dubravës, 20 vjet më parë nga forcat serbe, është krimi më i egër kundër njerëzve tashmë të privuar nga liria.

"Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më monstruoze në Kosovë për të cilin askush nuk është gjykuar, edhe përkundër qindra dëshmitarëve të mbijetuar dhe dëshmive të pamohueshme", ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook. Ai tha se "Kosova nuk do të ndalet kurrë në kërkim të drejtësisë".

Njëzet vjet më parë, brenda burgut të Dubravës u vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Kjo masakër zgjati disa ditë, përkatësisht nga 19 deri më 24 maj 1999.