Themeluesi i kompanisë kineze Huawei shprehu besimin se sanksionet e vendosura nga ana e Uashingtonit nuk do të kenë shumë ndikim në prodhuesin e dytë më të madh në botë të telefonave të mençur.
Ren Zhengfei tha se Huawei ka “siguruar rezerva” nëse e humb qasjen në furnizimin me komponentë të pajisjeve nga tregu amerikan.
Huawei blen çdo vit rreth 67 miliardë dollarë komponentë të paisjeve.
Javën e kaluar, administrata e presidentit Trump, vendosi të shtoj kompaninë“Huawei” në “listën e entiteteve” e cila ndalon kompanitë të blejnë teknologji nga firmat amerikane pa miratimin e qeverisë.
Të hënën, kompania amerikane Google vendosi të ndalojë disa përditësime në sistemin Android për telefonat Huawei. Kjo masë, shënon goditje ndaj kompanisë kineze, pasi përdoruesit e pajisjeve të saja nuk do të mund të përditësojnë aplikacionet nga sistemi operativ Android.
Themeluesi i Huaweit bëri të ditur se po bisedon me kompaninë Google për të gjetur një zgjidhje por nuk dha më shumë detaje lidhur me këto bisedime.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump thotë se Huawei është një rrezik për sigurinë.
Kompania kineze përballet me një reagim në rritje nga vendet perëndimore, të udhëhequra nga SHBA-ja, mbi rreziqet e mundshme që paraqiten duke përdorur produktet e saj në rrjetet e ardhshme mobile të 5G.
Disa vende kanë ngritur shqetësime se pajisjet Huawei mund të përdoren nga Kina për mbledhje të informacioneve dhe mbikëqyrje, akuza të cilat kompania kineze i ka mohuar.