Në SHBA do të hetohet origjina e hetimeve Trump-Rusi

Prokurori i përgjithshëm amerikan, William Barr.

Prokurori i përgjithshëm amerikan, William Barr, emëroi një prokuror federal për të shqyrtuar origjinën e hetimeve të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, raporton agjencia Associated Press.

Duke cituar një person të afërt me çështjen, AP tha se John Durham, prokuror në Konektikat, do të përcaktojë nëse mbledhja e informacioneve të inteligjencës nga fushata e presidentit Donald Trump ka qenë e ligjshme.

Trump i ka kërkuar këto hetime, pasi hetimet e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje i ka konsideruar si "gjueti shtrigash", e bërë nga kundërshtarët e tij.

Trump dhe mbështetësit e tij po ashtu e kanë akuzuar Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në për spiunim të paligjshëm në fushatën e tij.

Kritikët e prokurorit të përgjithshëm, në anën tjetër, kanë thënë se Barr vepron në emër të presidentit dhe jo në interes të drejtësisë.

Muajin e kaluar, Barr u ka thënë kongresistëve se beson se ka pasur spiunim në fushatën e Trumpit.

Barr nuk ka dhënë detaje, por ka thënë se po mbledh një ekip për të parë origjinën e hetimeve, të cilat janë udhëhequr nga këshilltari i posaçëm, Robert Mueller.

Raporti 448 faqesh i Muellerit ka konstatuar se nuk ka pasur konspiracion kriminal mes Moskës dhe fushatës së Trumpit për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Megjithatë, Mueller ka përmendur dhjetë raste ku Trump mund të ketë bërë përpjekje për t'i penguar hetimet.

Raporti ka arritur në përfundimin se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje "në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe sistematike".

Lexoni edhe këtë:

Trump: Mueller nuk duhet të dëshmojë para Kongresit