Trump: Mueller nuk duhet të dëshmojë para Kongresit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, "nuk duhet të dëshmojë" para Kongresit.

Më herët, Trump ka thënë se nuk do ta bllokonte Muellerin nga dëshmia dhe se do t'ia linte vendimin përfundimtar prokurorit të përgjithshëm, William Barr.

Mueller, në raportin 448 faqesh, nuk ka nxjerrë ndonjë provë për bashkëpunim të fshehtë midis Rusisë dhe fushatës zgjedhore të Trumpit më 2016.

Dëshmia e tij, megjithatë, mund t'i japë Kongresit qasje në informacione të tjera, që janë redaktuar.

"Përse demokratët në Kongres tani kanë nevojë që Robert Mueller të dëshmojë", pyeti Trump në Twitter, duke kujtuar se hetimet e Muellerit nuk kanë konstatuar se ai ka bashkëpunuar me rusët.

Mueller, më herët, ka kritikuar prokurorin e përgjithshëm, Barr, për përmbledhjen që i ka bërë raportit të tij, duke thënë se ai i ka keqinterpretuar disa gjetje.

Demokratët e Kongresit kanë bërë thirrje të detyrueshme për publikimin e plotë të raportit të Muellerit, por Departamenti i Drejtësisë nuk i është përgjigjur ende kësaj kërkese.

Lexoni edhe këtë:

Raporti i Muellerit: Thellohen përçarjet midis demokratëve dhe Departamentit të Drejtësisë