Tregjet e aksioneve në Kinë kanë shënuar rënie të hënën, pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar me vënie të tarifave të reja kundër këtij shteti, duke vënë në pikëpyetje arritjen e ndonjë marrëveshjeje tregtare.
Ai ka thënë përmes një postimi në Twitter se Shtetet e Bashkuara do të dyfishojnë tarifat në mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve, si dhe do të shtojë tarifa shtesë.
Para deklaratave të presidentit Trump, ishte menduar se të dyja palët kanë qenë afër miratimit të një dokumenti.
Një delegacion kinez ishte planifikuar të udhëtonte në Uashington këtë javë, me qëllim të dhënies fund të luftës tregtare.
Mirëpo mediat amerikane janë duke raportuar tani se Kina është duke konsideruar anulimin e këtyre takimeve.
Ndërkohë, Qeveria kineze ende nuk ka komentuar zyrtarisht postimet e Trumpit në Twitter.
Drejtori për Azinë në Grupin Euroazia, Michael Hirson, ka thënë se “deklaratat e Trumpit kanë injektuar më shumë paqartësi në negociata, dhe rrezikojnë të zgjasin këtë periudhë, ndoshta deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA”.
Trump pati arsyetuar vënien e tarifave në mallrat kineze, duke përmendur ato që i ka cilësuar si “praktika të padrejta tregtare” të Kinës ndaj SHBA-së.