Të dielën (më 5 maj) në Maqedoninë e Veriut mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Kandidatë janë: Stevo Pendarovski nga koalicioni qeveritar i udhëhequr nga social demokratët e kryeministrit, Zoran Zaev dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO DMPNE-së opozitare. Mirëpo, këto zgjedhje do të jenë të vlefshme vetëm nëse në votime dalin mbi 40 për qind e trupit të përgjithshëm votues.
Pikërisht dalja e votuesve vlerësohet të jetë shumë kritike për këto zgjedhje duke marrë parasysh se në rrethin e parë të votimeve pjesëmarrja ka qenë vetëm 41.79 për qind.
Në rrethin e parë të mbajtur më 21 prill në garë ka qenë edhe kandidati që ka pasur mbështetjen e opozitës shqiptare, Blerim Reka.
Reka të enjten iu bëri thirrje votuesve të tij që të dalin në votime në rrethin e dytë të zgjedhjeve pasi, sipas tij, në këtë mënyrë do të shpëtohet procesi i integrimit euro-atlantik të vendit.
Ai mohoi të ketë pasur takime me kandidatët apo liderët partiak për të mbështetur ndonjërin nga kandidatët për president.
Dalja e ulët e votuesve në raundin e parë për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut, ka hapur debatet se çfarë do të ndodhë nëse në raundin e dytë nuk arrihet pragu zgjedhor prej 40 për qind.
Nga Qeveria në disa raste nuk e kanë përjashtuar mundësinë që në rast të dështimit, zgjidhjen ta kërkojnë në Kuvend, por pa përjashtuar edhe mundësinë e heqjes së pragut zgjedhor.
Në rast të dështimit të zgjedhjeve, postin e presidentit të përkohshëm do të ushtronte kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, që do të ishte shqiptari i parë në postin më të lartë shtetëror në Maqedoninë e Veriut. Ai këtë post do ta ushtronte deri në gjetjen e mekanizmave për formën e zgjedhjes së presidentit të ri.