Autoritetet kineze janë duke përdorur një aplikacion për “vëzhgim” të profileve, me qëllim të ndalimit të myslimanëve në rajonin veriperëndimor të Xinjiangut, ka thënë organizata ndërkombëtare, Human Rights Watch (HRW).
Vëzhguesi me bazë në Nju Jork ka thënë më 2 maj se aplikacioni mobil është duke u shfrytëzuar për të “koleksionuar informacion nga njerëz të zakonshëm në Xinjiang”, duke përfshirë grupin e tyre të gjakut, “atmosferën fetare” dhe lidhjet e tyre politike.
Sipas HRW-së, kjo pajisje monitoron lëvizjet e njerëzve duke u përgjuar telefonët, duke identifikuar makinat, dokumentet e identifikimit, dhe madje vëren sjellje të “dyshimta” siç është mungesa e socializimit me fqinjtë.
Hulumtuesja e lartë në këtë Organizatë, Maya Wang ka thënë se policia në Xinjiang “është duke shfrytëzuar ilegalisht informacionin e mbledhur për njerëzit që bëjnë jetë normale dhe më pas i shfrytëzon këto të dhëna kundër tyre”.
Wang ka shtuar se Qeveria kineze “është duke monitoruar secilin aspekt të jetës së njerëzve në Xinjiang”.
Në këtë zonë pretendohet se jetojnë rreth 13 milionë ujgurë dhe anëtarë të grupeve kryesisht myslimane.
Kina është përballur me kritika të ashpra për shkak të dërgimit të rreth 1 milion ujgurëve në “qendra të riedukimit”.
Këto të fundit sipas aktivistëve janë kampe të internimit, pretendime të hedhura poshtë nga Pekini.