Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden, zyrtarisht shpalli kandidaturën e tij për nominimin e Partisë Demokratike si kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA.
“Ne jemi në këtë betejë për shpirtin e këtij kombi”, tha Biden përmes një video-mesazhi, duke iu bërë thirrje votuesve të refuzojnë edhe një mandat në Shtëpinë e Bardhë për presidentin, Donald Trump.
"Nëse i japim Donald Trumpit tetë vjet në Shtëpinë e Bardhë, ai përgjithmonë dhe thelbësisht do të ndryshojë karakterin e këtij kombi", tha Biden.
Biden u bashkohet dhjetra demokratëve që kanë shpallur kandidaturën për president për zgjedhjet e vitit 2020.
Deri më tani, në shumë sondazhe brenda demokratëve, udhëheq senatori, Bernie Sanders.
Nëse do të fitonte zgjedhjet, Biden do të ishte personi më i vjetër i zgjedhur ndonjëherë president i SHBA-së.
Ish-nënpresidenti 76 vjeçar, Joe Biden, është njëri ndër personalitetet më të njohura në politikën e SHBA-së. Midis demokratëve ai vlerësohet për përvojën e tij në fushën legjislative dhe të politikës së jashtme.
Ai ka qenë për gjashtë mandate senator shërbeu si zëvendës i Presidentit Barak Obama për dy mandate dhe u kandidua dy herë për president në vitin 1988 dhe 2008, mirëpo nuk pati sukses.
Ai planifikoi kandidimin përsëri në vitin 2016, por u tërhoq pas vdekjes së djalit të tij 46-vjeçar, Beau Biden.
Djali i tij, Beau, ka shërbyer edhe në Kosovë në kuadër të forcave paqëruajtëse amerikane në Kampin "Bondsteel".
Gjatë një vizite në Kosovë, në vitin 2016, Joe Biden morri pjesë në ceremoninë që u organizua kushtuar djalit të tij të ndjerë. Një rrugë në afërsi të kampit ushtarak amerikan Bondsteel, në magjistralen Ferizaj-Gjilan u emërtua Beau Biden .