Katër kandidatët e subjektit politik, Lista Serbe, që pritet të garojnë për kryetarë të komunave veriore të Kosovës, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit, nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në vazhdimin e mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dy anëtarët e këtij trupi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Balaj dhe Adnan Rrustemi kanë abstenuar procesin, duke pamundësuar certifikimin e kandidatëve të partisë serbe.
Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe. Në dorëheqjet e tyre, kryetarët e këtyre komunave, i ishin referuar Kosovës me termin “Kosovë e Metohi”.
Asnjë parti serbe nuk guxon ta sfidojë Listën Serbe
Pikërisht, përdorimi i këtij termi ka shtyrë anëtarët e Vetëvendosjes, që të kërkojnë nga Lista Serbe të zëvendësojnë tre (ish-kryetarët e komunave që kanë dhënë dorëheqje) nga katër kandidatët për kryetar komunash, në të kundërtën, siç tha anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, këtë çështje do e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Unë kam pritur që për këto 24 orë, Lista Serbe do të zëvendësojë tre nga katër kandidatët të cilët kishin dhënë dorëheqje para pesë muajsh, e që deklaratat e tyre të dorëheqjes, aktet e dorëheqjes në përmbajtje e konsideronin Kosovën pjesë të Serbisë dhe i referoheshin Kosovës si ‘Kosovë dhe Metohi’. Unë po ashtu kam pritur nga Lista Serbe që të distancohet publikisht nga përmbajtja e këtyre deklaratave. Nëse e ka të pamundur që t’i zëvendësojë (v.j. kandidatët), të paktën le të japë dëshmi që distancohet nga përmbajtja e dorëheqjeve”, tha Rrustemi.
Abstenimi i tyre ka ndikuar që kjo çështje tash të kalojë edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se në një afat prej 24 orësh subjekti politik, Lista Serbe mund të bëjë ankesë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore, të cilat do të mbahen më 19 maj. Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, po ashtu do të garojnë me kandidatët e tyre.