SHBA rrit presionin mbi Iranin, ia godet eksportet e naftës

Uashington

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vendosi të mos i zgjasë masat lehtësuese që iu mundësojnë importuesve të blejnë naftë nga Irani, pa u përballur me sanksionet e SHBA-së.

Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë thuhet se "Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të ndërmarrin veprime në kohë, për të siguruar plotësimin e nevojave globale kur nafta iraniane të hiqet nga tregu".

"Ky vendim synon t'i çojë eksportet e Iranit në zero, duke e privuar regjimin nga burimi kryesor i të ardhurave", thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Vendimi nënkupton që masat lehtësuese për pesë vende, përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Turqinë, nuk do të vazhdojnë pasi të skadojnë më 2 maj.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Iranin si sponsorizues të terrorizmit global.

"Do të vazhdojmë të aplikojmë presion maksimal ndaj regjimit iranian, derisa udhëheqësit e tij të ndryshojnë sjelljen shkatërruese, të respektojnë të drejtat e popullit iranian dhe të kthehen në tryezën e negociatave", tha përmes një deklarate sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Eksportet e naftës janë burimi kryesor i të ardhurave për Teheranin, i cili është goditur rëndë nga rivendosja e sanksioneve të SHBA-së, prejse kjo e fundit është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore, vitin e kaluar.