Dy parti politike shqiptare dhe një serbe aplikojnë për zgjedhjet në veri

Ilustrim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbyllur afatin e aplikimit për certifikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat në veri të Kosovës, të cilat do të mbahen më 19 maj.

Në afatin e paraparë kanë aplikuar tri subjekte politike, Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se "të gjitha aplikimet do të shqyrtohen nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim”, e cila më pas pritet t’i paraqesë KQZ-së rekomandimet përkatëse për secilën nga këto parti.

Në zgjedhjet e parakohshme për kryetarët e katër komunave të veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan patën paralajmëruar pjesëmarrjen dy parti, serbe dhe shqiptare.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se ky subjekt politik do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme, në mënyrë që, siç ka thënë ai, shqiptarët të mos i udhëheqin komunat me shumicë serbe.

Zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës, vijnë pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm të këtyre komunave, të gjithë përfaqësues të Listës Serbe, më 26 nëntor të vitit 2018, si shenjë proteste ndaj vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë nga Qeveria e Kosovës.