Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë shprehu ngushëllimet e saj për familjet e viktimave në Kosovë, me rastin e shënimit të 20-vjetorit të krimeve të luftës.
"Derisa Kosova përkujton 20-vjetorin e mizorive të luftës, Ambasada e SHBA-së u shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve të viktimave. Mohimi i mizorive fyen kujtimet për viktimat, i traumatizon familjet edhe më shumë dhe minon përparimin në ndërtimin e një shteti demokratik dhe shumetnik", thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane.
E njëjta u bën thirrje udhëheqësve të Kosovës nga radhët e të gjitha bashkësive që "të përmbahen nga retorika ndezëse".
"Përkushtimi ndaj të së vërtetës për të kaluarën e luftës është jetësor për një të ardhme paqësore", thuhet në deklaratë.
Të hënën, Kuvendi i Kosovës krijoi një komision të posaçëm "ad hoc" për të dënuar, siç u tha, krimet e luftës, gjenocidin dhe agresionin e regjimit serb.
Komisioni pritet të hartojë një rezolutë, ndërsa qëllimi përfundimtar është hapja e tribunalit ndërkombëtar për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
Javën e kaluar, ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka autorizuar Ministrinë e Drejtësisë të hartojë një ligj që sanksionon mohimin e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë.