I vazhdohet mandati Komisionit Hetimor për rastin e turqve të dëbuar

Një studente e shkollës "Mehmet Akif" në Prishtinë gjatë protestave për dëbimin e shtetasve turq, mësimdhënës në këtë shkollë (foto arkivi)

Deputetët e Kuvendit të Kosovës ia zgjatën të hënën mandatin Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili merret me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, më 29 mars të vitit të kaluar.

Deputetët, me 60 vota për, një kundër dhe katër abstenime, ia zgjatën mandatin komisionit edhe për 30 ditë.

Anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar kanë thënë se aktin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova e kanë përcjellë shumë shkelje dhe parregullsi, qofshin ligjore, apo të kompetencave.

Komisioni pritet që të dalë me një raport final për këtë çështje.

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq, në fundin e marsit të vitit të kaluar, është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Por, deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës kanë thënë se nuk kanë pasur njohuri lidhur me rastin.

Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen.

Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grushtshtet në Turqi në vitin 2016.

Lexoni edhe këtë: Ka hetime, por jo edhe të akuzuar për dëbimin e shtetasve turq