Hahn: Bllokimi i dialogut me Prishtinën nuk duhet të ndalë integrimin e Serbisë

Komesionari evropian, Johanes Hahn dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Han, tha në Beograd se i vjen keq që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është në bllokadë por, sipas tij, kjo nuk duhet të jetë arsye për ndaljen e procesit të integrimit evropian të Serbisë.

“Më vjen keq që dialogu është ndalur, kjo nuk është mirë. Nuk ka asnjë arsye dhe do të ishte gabim të ndalet gjithçka (për Serbinë) vetëm sepse dialogu është i bllokuar”, tha komesionari Hahn në Beograd, gjatë një konference për media së bashku me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian është pezulluar që prej vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e qeverisë së Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.

Megjithatë, BE-ja synon të përparojë procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian përkundër zhvillimeve rreth dialogut me Kosovën. Këtë e konfirmoi edhe komesionari Hahn pasi deklaroi se janë duke u bërë përgatitjet për hapjen edhe të një kapitulli të ndërmjet BE-së dhe Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në bllokun evropian.

Gjatë qëndrimit në Beograd, komesionari Hahn ka takuar të enjten edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Komesionari Hahn para vizitës në Serbi ka qëndruar në Sarajevë ku me zyrtarë të lartë të Bosnjë dhe Hercegovinës ka diskutuar procesin e integrimit të këtij vendi në Bashkimin Evropian.