Facebook fshin mijëra llogari nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Rusia dhe Irani

Ilustrim

Kompania Facebook ka njoftuar se ka fshirë llogari nga Rusia, Irani, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, për shkak të “sjelljes së kordinuar joautentike”.

Një total prej 2.632 llogari u fshin nga platformat e Facebook-ut dhe Instagramit, njoftoi përmes një deklarate kompania Facebook.

Aty thuhet se 1907 faqe, grupe dhe llogari kanë qenë të lidhura me Rusinë, përderisa 513 me Iranin.

Ndërkaq, 212 llogari kanë qenë me origjinë nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Llogaritë e lidhura me Rusinë në masë të madhe u fshin për shkak të veprimtarive të dyshimta. Një numër i vogël i tyre përmes sjelljes së kordinuar autentike kanë publikuar përmbajtje të ndërlidhura me “lajmet dhe politikën në Ukrainë, përfshirë konfliktin në Ukrainën lindore, situatën në Krime, korrupsionin etj”.

Njoftimi vjen në prag të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë më 31 mars.

Në muajt e fundit Facebook ka njoftuar rezultatet e spastrimeve të tilla të llogarive, si dhe ka rritur aktivitetet për të demonstruar angazhimin në parandalimin e ndërhyrjes në ngjarje të tilla siç janë zgjedhjet.