SBASHK paralajmëron grevë kundër vendimit për kompensimin e orëve

Ilustrim

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kosovës (SBASHK), përmes një shkrese drejtuar kryetarëve të komunave të Kosovës, kërkoi që të mos respektohet vendimi i Ministrisë së Arsimit për kompensimin e orëve mësimore, të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve, e cila ka nisur më 14 janar dhe ka zgjatur tri javë.

Sindikata paralajmëroi se nëse vazhdohet me vendimin për kompensimin e orëve, ajo mund të shpallë "grevë të përgjithshme, duke kërkuar tërheqjen e vendimit për zëvendësimin e orëve”.

"Një grevë e tillë do të mund të prodhonte ditë të tjera të humbura të mësimit, përveç këtyre 15 ditëve që janë humbur gjatë grevës”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyçi, më 26 shkurt, ka marrë vendim që orët e humbura mësimore të kompensohen.

Por, SBASHK thotë se ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe ka dorëzuar padi në gjykatë kundër tij.

Mësimdhënësit kanë hyrë në grevë duke kërkuar që me koeficientin e ri të pagave, pagesat e tyre të rriten deri në 30 për qind.

Greva është ndërprerë pasi drejtuesit e SBASHK-ut kanë arritur marrëveshje me drejtuesit e institucioneve, që kërkesa e tyre të përfshihet në Ligjin e pagave.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin e pagave në sektorin publik në muajin shkurt.