Haradinaj: Kosova gjithnjë mirënjohëse ndaj NATO-s

Fushata ajrore e NATO-s, maj 1999

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se intervenimi i forcave të NATO-s para 20 viteve ndali aksionin gjenocidal mbi popullin e Kosovës.

Në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kryeministri Haradinaj tha se "populli i Kosovës do të jetë gjithmonë falenderues për kontributin e NATO-s për shpëtimin e mijëra jetëve dhe ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë".

“Në njëzetvjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, sot i kam dërguar letër Sekretarit të Përgjithshëm të Paktit Veriatlantik, Jens Stoltenberg. Veprimi i vendosur i NATO-s para 20 viteve ndali aksionin gjenocidal mbi popullin e Kosovës. Ky intervenim u bazua mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Sot Kosova është shtet, i këtyre vlerave pa dallim dhe e vendosur në rrugën e integrimit euro-atlantik. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s.”, tha Haradinaj.

Expose: Fuqia ajrore që ndali gjenocidin në Kosovë

Your browser doesn’t support HTML5

Fuqia ajrore që ndali gjenocidin në Kosovë

Haradinaj gjatë ditës ka bërë homazhe edhe pranë Pllakës Memoriale të ushtarëve të KFOR-it të rënë gjatë shërbimit në Kosovë, si dhe te Pllaka Përkujtimore me emrat e ushtarëve britanikë, që humbën jetën në shërbim në Kosovë.

Më 24 mars bëhen 20 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë. Fushata, që i dha fund luftës në Kosovë, zgjati 78 ditë.