Turqia i kundërpërgjigjet SHBA-së në lidhje me dëbimin e shtetasve turq nga Kosova

Ilustrim

Ambasada Turke në Prishtinë, përmes një njoftimi për media, ka paraqitur qëndrimin zyrtar të qeverisë turke lidhur më dëbimin e gjashtë shtetasve turq, nga Kosova për në Turqi.

Në një postim në rrjetin social Facebook, të ambasadës turke në Prishtinë, citohet zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Tuqrisë, Hami Aksoy, i cili ka deklaruar se autoritetet turke po korrin rezultate konkrete në luftën kundër, siç e ka quajtur ai, “shtrirjeve të organizatës terroriste FETO” jashtë Turqisë.

“Është duke u kuptuar gjithnjë e më shumë se organizata në fjalë paraqet një rrezik serioz jo vetëm për Turqinë, por edhe për ato vende ku është duke vepruar”, citohet Aksoy.

“I ftojmë partnerët dhe aleatët tjerë që në vend që të përpiqen për të bllokuar masat e marra kundër FETO, në të njëjtën mënyrë të tregojnë një qasje të kujdesshme”, thuhet në njoftimin të cilin e ka bërë publik Ambasada e Turqisë.

Reagimi i Ankarasë pason deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, e cila ka thënë se “ka kaluar një vit që kur Kosova i ka dëbuar gjashtë shtetas turq, pa një proces të duhur, duke pretenduar se kërcënonin sigurinë kombëtare”.

Përmes kësaj deklarate, SHBA-ja u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të kërkojnë përgjegjësi të plotë nga kushdo që e shkel ligjin dhe i kujtoi liderët e Kosovës se “institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit të tyre kushtetues”.

Qëndrimin e Ambasadës amerikane rreth dëbimit të gjashtë qytetarëve turq nga autoritetet e Kosovës e kanë mbështetur plotësisht edhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe ambasada e Gjermanisë.

Më 29 mars 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, organet e sigurisë në Kosovë kishin arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë është mjek.

Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grushtshtet në Turqi në vitin 2016.