Mogherini: Marrëveshjen përfundimtare Prishtinë-Beograd duhet ta mbështesë KS i OKB-së

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “Kosova duhet të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës”.

Pasi të ndodhë kjo, Mogherini përsëriti se do të thërrasë menjëherë rundin e ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në mënyrë që të arrihet marrëveshja ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Siç e dini, unë personalisht e lehtësoj dialogun. Por, dialogu nuk më përket mua, Bashkimi Evropian apo ndonjë prej nesh rreth kësaj tryeze, ajo i takon dy palëve në dialog. U takon atyre të arrijnë një marrëveshje që do të ishte e pranueshme dhe e përshtatshme për të dyja palët. Në të njëjtën kohë, një marrëveshje përfundimtare duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe do të duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha Mogherini, duke shtuar se, për arritjen e këtij qëllimi, është e gatshme të intensifikojë bisedimet me anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë pasi pala serbe nuk pranon të ulet në tryezën e bisedimeve para se Kosova të heqë tarifën ndaj mallrave serbe të vendosur në nëntor të vitit të kaluar, si kundërpërgjigje të asaj që Prishtina e quan fushatë të shtetit serb ndaj minimit të shtetësisë së Kosovës.

Megjithatë shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini tha se një përfundim pozitiv i dialogut Beograd-Prishtinë do të jepte edhe më shumë shpresë për të gjithë rajonin si dhe do të ishte model dhe një frymëzim për Evropën dhe botën.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të shfuqizojë ose të paktën të pezullojë për një afat kohor tarifën ndaj mallrave serbe.

Kryeministri Ramush Haradinaj po kundërshton heqjen e saj derisa Serbia të njohë Kosovën.

Mbajtja në fuqi e tarifës ka përkeqësuar raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara. Zyrtarë të lartë amerikanë përmes disa letrave drejtuar institucioneve të Kosovës apo përmes vizitave në Prishtinë kanë thënë se autoritetet kosovare duhet të shfrytëzojnë rastin për të arritur një marrëveshje me Beogradin, gjatë këtij viti.

Përkeqësimin e raporteve me SHBA-në e ka konfirmuar kohë më parë edhe zëvëndëskryeministri, Enver Hoxhaj, i cili përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se raportet mes dy vendeve janë në nivelin më të ulët.

“Përgjatë përvojës time pesëmbëdhjetë vjeçare në politikë, fatkeqësisht, ndodhemi në pikën më të ulët të marrëdhënieve Kosovë-SHBA dhe ky duhet të jetë shqetësim për politikën dhe shoqërinë në Kosovë” ka shkruar Hoxhaj.