Hale: Prishtina dhe Beogradi të ndalin provokimet dhe të vazhdojnë dialogun

Your browser doesn’t support HTML5

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale iu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndalin provokimet dhe të rivendosin dialogun.

Ndërkaq nga autoritetet në Prishtinë, ai kërkoi poashtu të heqin tarifën ndaj mallrave serbe.

“Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për heqjen e tarifës, ndaljen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdim të dialogut. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin me Serbinë dhe dëshirojnë të ndërtojnë raporte edhe më të fuqishme” thuhet në një njoftim të publikuar në Twitter nga ana e Ambasadës së SHBA-së në Beograd, pas takimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me zyrtarin e lartë amerikan, David Hale.

Gjatë takimit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha nënsekretarit amerikan të Shtetit, se Serbia “në një afat relativisht të shkurtër kohor do të ndërmarrë masa përmes të cilave do të reagojë ndaj mospërmbushjes së obligimeve nga marrëveshja e Brukselit, vendosjes së tarifës ndal mallrave serbe dhe ndërprerjes së dialogut me Serbinë nga ana e Prishtinës”.

Presidenti serb tha se qëndrimi i Beogradit karshi kësaj situate do të jetë “i vendosur, serioz dhe i përgjegjshëm”.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikatë nga zyra e presidentit serb Aleksandar Vuçiq pas takimit me zyrtarin e lartë amerikan, i cili ka filluar një vizitë dy ditore në Beograd dhe Prishtinë, në përpjekje për të shtyrë përpara rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit të presidencës serbe, Vuçiq gjatë takimit me zyrtarin amerikan, Hale ka thënë se Platforma e dialogut me Beogradin të cilën e ka miratuar Prishtina në “thelb paraqet vendimin e Prishtinës për t’i dhënë fund dialogut me Beogradin”.

Vuçiq ka thënë se ai e ka paralajmëruar prej kohësh përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, dhe ekipin e saj se miratimi i kësaj platforme nuk lë vend për kompromis, dhe si e tillë ajo është kundër dialogut.

“Sidomos me refuzimin kokëfortë të Prishtinës për të hequr tarifën të paarsyeshme dhe të dëmshme për mallrat serbe” ka thënë Vuçiq.

Nënsekretari amerikan për çështje politike, David Hale ka filluar të premten një vizitë në Serbi duke takuar presidentin Aleksandar Vuçiq, si dhe ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq ndërkaq është paraparë takimi edhe me kryeministren serbe, Ana Brnabiq.

Pas arritjes së zyrtarit të lartë amerikan Hale në Beograd, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott, shkroi në Twitter se “Nënsekretari Hale mbërriti në Beograd për të inkurajuar Beogradin dhe Prishtinën që të kthehen në dialog nën ndërmjetësimin e BE-së.

“SHBA nuk do të ofrojnë një recetë për zgjidhjen. Ne besojmë se ajo duhet të jetë e zbatueshme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi dhe duhet të kontribuojë në stabilitetin afatgjatë të rajonit” ka shkruar Scott.

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale, do të qëndrojë në Kosovë gjatë ditës së shtune.

Në prag të vizitës në Serbi dhe Kosovë, nënsekretari amerikan, David Hale, tha se ekziston mundësia që këtë vit të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, porse ajo duhet t'i kontribuojë stabilitetit afatgjatë në rajon.

"Ka shanse që këtë vit të arrihet një zgjidhje gjithëpërfshirëse, por vetëm nëse së pari vazhdon dialogu... SHBA-ja nuk do ta japë recetën për zgjidhje. Besojmë se ajo duhet të jetë e zbatueshme si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, dhe se duhet të kontribuojë në stabilitetin afatgjatë të rajonit", tha Hale në një intervistë për gazetën serbe Danas.

Ai po ashtu bëri thirrje për heqjen e tarifës doganore, që Qeveria e Kosovës u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Shtetet e Bashkuara, më herët, kanë thënë se kjo taksë nuk përkon me interesat amerikanë.

Thirrje për heqjen e saj ka bërë edhe Bashkimi Evropian, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nuk do të vazhdojë derisa taksa mbetet në fuqi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa 100%, që është vënë qysh në muajin nëntor, nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.