Një i vdekur, dhjetëra të plagosur nga aksidenti në Gjilan

Your browser doesn’t support HTML5

Aksidenti në Gjilan

Një person ka vdekur dhe 27 të tjerë janë plagosur nga një aksident në qendër të qytetit të Gjilanit.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nysret Hajrullahu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se nga "27 personat e plagosur, tetë janë të hospitalizuar".

Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë që dyshohet se aksidentin e ka shkaktuar një kamion transportues.

Ai ka thënë se hetimet për rastin kanë nisur menjëherë, ndonëse incidenti dyshohet të ketë ndodhur aksidentalisht.

Përveç kësaj ai ka shtuar se Policia ka ndalur dy persona, përkatësisht ngasësin e automjetit dhe bashkudhëtarin e tij.

Gjilan, pamje nga vendi i aksidentit.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë përmes një postimi në Facebook, se “sipas informatave të para, kamionit nuk i kanë funksionuar frenat” dhe shtoi se përveç dëmeve në njerëz, në këtë aksident janë përfshirë edhe dhjetëra vetura dhe ka dëmtim të pronës publike.