Huawei padit Qeverinë e SHBA-së

Ilustrim

Gjiganti kinez i telekomunikimeve, Huawei, ngriti padi kundër Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, për shkak të një ndalese që i kufizon agjencitë federale të përdorin prodhimet e tij.

Huawei tha se SHBA-ja nuk ka arritur të sjellë prova për të mbështetur ndalesën dhe shtoi se kompania nuk ka lidhje me Qeverinë e Kinës.

"Ndalesa jo vetëm që është e paligjshme, por gjithashtu e pengon Huawein nga angazhimi në konkurrencë të ndershme, duke i dëmtuar në fund konsumatorët amerikanë", tha kryetari i Huaweit, Guo Ping.

Padia u ngrit në një gjykatë federale në Teksas.

SHBA-ja ka thënë se ka kufizuar përdorimin e prodhimeve të Huaweit për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.

Ajo ka ngritur një mori akuzash penale kundër kompanisë, të cilat përfshijnë mashtrimin bankar, pengimin e drejtësisë dhe vjedhje të teknologjisë nga kompania amerikane T-Mobile.

SHBA-ja po ashtu ka lobuar tek aleatët që të shmangin kompaninë kineze.

Huawei është një nga ofruesit më të mëdhenj të pajisjeve dhe shërbimeve të telekomunikimit në botë.

Por, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë shprehur shqetësim se Qeveria e Kinës mund ta përdorë teknologjinë e tij për t’i zgjeruar kapacitetet e spiunimit, edhe pse firma këmbëngul se nuk ka kontroll qeveritar.